Terapia individuale është një proces terapeutik midis dy personave, njëri therapist i kualifikuar dhe licencuar e tjetri personi që ka nevojë për terapi. Terapia ofron një mjedis të sigurt dhe konfidencial për të eksploruar vështirësi të ndryshme personale, emocionale dhe të jetës së përditshme. Përmbajtja e seancave dhe disa aspekte të procesit janë unike ashtu sic janë individët unikë, dhe bazohen në nevojat dhe mundësitë e tyre për vetëdijësim, rritje dhe përmirësim. Terapia psikodinamike është një formë e psikoterapisë që rrjedh nga psikoanaliza (me autorë S.Freud e pasardhës të tij si M. Klein, D. Winnicott, W. Bion, etj), por më e shkurtër dhe e fokusuar se psikoanaliza tradicionale. Ajo përqendrohet në kuptimin e proceseve të pavetëdijshme që ndikojnë në sjelljen, ndjenjat dhe marrëdhëniet e individit. Terapia mund të zhvillohet 1 deri 3 herë në javë në varësi të mundësive dhe nevojës së personit që kërkon terapi. Ajo e konsideron rolin e pavetëdijes, përvojave të hershme të jetës së indidvidit mjaft me rëndësi në shqetësimet psikologjike dhe simptomat që shafqen në kushtet e një gjendjeje të caktuar të vuajtjes psikologjike. Teknikat bazë të psikoterapisë psikodinamike janë: Shoqërimet (asosacionet) e lira – personi në terapi ftohet të flasë lirshëm për çdo gjë që i vjen në mendje, pa e censuruar veten. Interpretimi – terapisti së bashku me personin në terapi bashkëpunojnë për të kuptuar domethënien e fshehur të mendimeve, sjelljeve të tij. Analiza – terapisti i kushton vëmendje gjithçkaje që ndodh gjatë procesit të terapisë, veçanërisht gjatë seancave: reagimet emocionale, rezistenca për të folur e diskutuar për tema të caktuara, çfarë projektohet në marrëdhënien me terapistin, konflikte të brendshme, etj. Vëzhgimi i modeleve të përsëritura – identifikimi i temave, sjelljeve, zgjedhjeve, marrëdhënieve që përsëriten në jetën e individit e që prodhojnë vuajtje emocionale dhe konflikte të brendshme.